
Tensione dhe përplasje fizike janë regjistruar gjatë ditës së 89-të të protestës në Tiranë.
Në incident u përfshinë Sali Lushaj, anëtar i Partisë Demokratike dhe babai i reperit Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi, si dhe Dritan Goxhaj, një prej nismëtarëve të protestës.
Sipas pamjeve të publikuara, Lushaj dhe disa anëtarë të tjerë të PD-së po fotografonin veten duke bërë simbolin e dy gishtave. Ky veprim shkaktoi reagimin e disa protestuesve, të cilët iu afruan dhe kërkuan largimin e tyre nga zona.
Debati verbal u përshkallëzua më pas në konfrontim fizik mes Lushajt dhe Goxhajt, ndërsa persona të tjerë ndërhynë për t’i ndarë dhe qetësuar situatën.
Nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar.






