Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë akuzat se qeveria po fal tokë publike për projektin turistik në Zvërnec, duke deklaruar se investimi po zhvillohet në një pronë private dhe jo në pasuri të shtetit.

Gjatë prezantimit të platformës “Albanian Digital Solution”, Rama i cilësoi si të pavërteta pretendimet se shteti po i jep tokë publike investitorëve, ndërsa theksoi se toka ku po ndërtohet resorti është blerë nga privatë.

“Më vjen natyrshëm të them diçka për zhurmën e madhe që është ngritur mbi një lajm të rremë. Shteti nuk po fal asgjë, sepse shteti aty nuk ka asgjë. Ajo është një pronë private, denbabaden. Investitorët e përfshirë në atë proces janë tejet seriozë dhe atë pronë e kanë marrë nga privati”, deklaroi kryeministri.

Rama sqaroi se përfshirja e shtetit shqiptar në këtë projekt lidhet vetëm me ishullin e Sazanit, ku negociatat ende nuk kanë përfunduar.

“Shteti ka pasuri në anën tjetër të projektit, që është ishulli i Sazanit. Korporata Shqiptare e Investimeve është pjesë e projektit dhe toka e ishullit do të mbetet e shtetit shqiptar”, u shpreh ai.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në kulmin e debatit për zhvillimin turistik në zonën e Pishë-Poros, pjesë e peizazhit të mbrojtur Vjosë-Nartë. Një pjesë e plazhit është rrethuar me tela me gjemba nga kompania që ka marrë leje për ndërtimin e një resorti në një sipërfaqe prej 2.5 hektarësh.

Projekti është kundërshtuar nga ambientalistë dhe organizata të shoqërisë civile, të cilët pretendojnë se ndërhyrja rrezikon një zonë me vlera të veçanta natyrore dhe biodiversitet të pasur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu