
Ozempic dhe ilaçe të ngjashme për humbjen e peshës mund të ndikojnë jo vetëm në oreksin, por edhe në mënyrën se si funksionon truri i njeriut, sipas një raportimi të publikuar nga Washington Post.
Sipas artikullit, shkencëtarët po shqyrtojnë mundësinë që barnat e grupit GLP-1, të njohura për trajtimin e diabetit dhe obezitetit, të jenë duke “riprogramuar” qarqe të caktuara të trurit që lidhen jo vetëm me urinë dhe ngopjen, por edhe me emocionet, dëshirën dhe sjelljen.
Raportimi citon Allison Shapiro, asistente profesore në Universitetin e Colorado Anschutz, e cila ishte pjesë e një ekipi kërkimor që studioi 13 adoleshente dhe gra të reja me një çrregullim hormonal që prek vezoret. Pjesëmarrëset u trajtuan me barna GLP-1 dhe, si pjesë e studimit, iu nënshtruan skanimeve të trurit para dhe pas trajtimit.
Fillimisht, studiuesit synonin të vlerësonin efektet e ilaçit në organizëm, por rezultatet e skanimeve të trurit ngritën pyetje të reja mbi ndikimin e mundshëm neurologjik të këtyre barnave.
Ekspertët po hetojnë nëse efektet e GLP-1 shtrihen përtej sistemit tretës dhe metabolizmit, duke ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si truri përpunon shpërblimin, dëshirat dhe sjelljet e lidhura me varësitë apo zakonet ushqimore.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kërkimet janë ende në faza të hershme dhe se nevojiten studime më të gjera për të kuptuar plotësisht ndikimin afatgjatë të këtyre medikamenteve në tru.
Ozempic, i zhvilluar fillimisht për trajtimin e diabetit të tipit 2, është bërë një nga barnat më të përdorura në botë për humbjen e peshës, ndërsa interesimi i komunitetit shkencor për efektet e tij vazhdon të rritet.
Burimi: The Washington Post.






