
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi një takim me deputetë të Parlamentit të Moldavisë dhe drejtues të Federatës së Futbollit të Moldavisë, ku në fokus të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe Moldavisë.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve në kuadër të rrugëtimit të përbashkët drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Palët ndanë vlerësime mbi progresin e arritur dhe sfidat që mbeten në këtë proces, duke nënvizuar nevojën për shkëmbim përvojash dhe koordinim më të madh institucional.
Në këtë takim i pranishëm ishte edhe Zëvendëspresidenti i UEFA-s, Armand Duka, ku u vendos theksi mbi rolin e sportit si një urë lidhëse mes dy vendeve. U theksua rëndësia e mbështetjes për zhvillimin e sportit, veçanërisht futbollit, si një element që ndikon në afrimin e shoqërive dhe promovimin e vlerave të përbashkëta europiane.






