
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në zonën e Fllakës, në Sektor Rinia të Durrësit, ku një zjarr i rënë në ambientet e një magazine i ka marrë jetën një shtetasi të huaj.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 08:00 ka rënë zjarr në një nga ambientet e magazinave të një subjekti me administrator shtetasin S. M.
Dyshohet se zjarri ka shpërthyer në ambientin ku gatuhej për punonjësit, si pasojë e një bombule gazi.
Për pasojë, ka humbur jetën nga asfiksia shtetasi O. M., rreth 25 vjeç, nga Bangladeshi, ndërsa një tjetër punonjës, shtetasi Ch. Ch., rreth 30 vjeç, nga Kenia, është transportuar në spital ku po merr ndihmë mjekësore.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëses, të cilat bënë të mundur izolimin dhe fikjen e flakëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.






