Ndryshimet klimatike mund të detyrojnë gjarpërinjtë helmues të migrojnë drejt zonave të reja për t’u përshtatur me temperaturat në rritje, duke shtuar rrezikun për shëndetin publik në disa vende të botës.

Alarmi vjen nga një studim i publikuar në revistën shkencore “Lancet Planetary Health”, sipas të cilit deri në vitin 2070 shumë specie gjarpërinjsh helmues do të humbasin habitatet aktuale dhe do të zhvendosen në rajone me kushte më të favorshme klimatike.

Sipas studiuesve, vendet më të rrezikuara nga kjo zhvendosje mund të jenë Nigeri, Namibia, Kina, Nepali dhe Myanmari, ku pritet rritje e pranisë së specieve helmues nga vendet fqinje.

Ekspertët paralajmërojnë se kombinimi i temperaturave më të larta, varfërisë dhe mungesës së shërbimeve shëndetësore mund të shtojë ndjeshëm rastet e pickimeve fatale, sidomos në zonat rurale të Azisë Juglindore dhe Afrikës.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, helmimi nga pickimi i gjarprit konsiderohet një sëmundje tropikale e neglizhuar. Çdo vit, nga 81 mijë deri në 138 mijë persona humbin jetën nga pickimet e gjarpërinjve, ndërsa rreth 400 mijë të tjerë mbeten me pasoja të përhershme.

Studimi thekson se fenomeni mund të ndikojë edhe në ekosisteme dhe në ekonominë rurale, pasi pickimet e gjarpërinjve shkaktojnë humbje të mëdha edhe në blegtori.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu