Tensionet në Kombëtaren e Kosovës janë thelluar në prag të ndeshjeve të Nations League.

Florent Hadërgjonaj ka njoftuar se, për momentin, nuk do të jetë më në dispozicion të “Dardanëve” për sa kohë Kombëtarja drejtohet nga stafi aktual teknik.

Mbrojtësi i Kosovës e bëri publik vendimin përmes një deklarate në Instagram, duke sqaruar se nuk bëhet fjalë për tërheqje nga Kombëtarja, por për një konflikt profesional dhe mungesë besimi me trajnerin Franco Foda dhe stafin e tij.

“Pas shumë mendimi, kam marrë vendimin që, për momentin, të mos jem më në dispozicion të Kombëtares së Kosovës nën drejtimin e stafit aktual teknik”, shkroi Hadërgjonaj.

Futbollisti theksoi se përfaqësimi i Kosovës mbetet një nga nderet më të mëdha të karrierës së tij dhe se është krenar për çdo paraqitje me fanellën e “Dardanëve”.

Por, sipas tij, raporti me trajnerin aktual është dëmtuar deri në pikën ku bashkëpunimi nuk mund të vazhdojë.

“Me kalimin e kohës është bërë e qartë për mua se me trajnerin aktual nuk ekziston më baza e nevojshme e respektit dhe e besimit të ndërsjellë për të vazhduar një bashkëpunim profesional”, deklaroi ai.

Hadërgjonaj insistoi se vendimi nuk është kundër Kosovës dhe as kundër Kombëtares.

“Kjo nuk është tërheqje nga Kombëtarja dhe nuk është vendim kundër Kosovës. Vendimi im lidhet vetëm me situatën aktuale dhe raportin tim me stafin teknik”, sqaroi mbrojtësi.

Lëvizja e tij vjen në një moment delikat për Kosovën, e cila do të zhvillojë katër ndeshje në Nations League ndaj Irlandës, Austrisë dy herë dhe Izraelit.

Në krahun e djathtë të mbrojtjes, alternativa kryesore mbetet Mërgim Vojvoda.

Vendimi i Hadërgjonajt shton edhe më shumë presionin mbi trajnerin Franco Foda dhe Federatën e Futbollit të Kosovës, në një periudhë kur Kombëtarja po përballet me tensione të brendshme dhe pakënaqësi nga lojtarët.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu