Pas një dite të gjatë debatesh në Kuvend, kryeministri Edi Rama është paraqitur në mbrëmje në sallën e Parlamentit, ndërsa seanca plenare vijon prej orës 10:00 të paradites.

Në qendër të debatit është edhe projektligji i propozuar nga deputetë të Partisë Socialiste për ndryshimin e formulës së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Mazhoranca ka paralajmëruar votimin e draftit në seancën e 17 shtatorit, ndërsa opozita ka kërkuar që projektligji të tërhiqet për konsultime të mëtejshme me institucionet e sistemit të drejtësisë.

Kërkesa e Partisë Demokratike për heqjen e projektligjit nga rendi i ditës u rrëzua gjatë seancës. Gazment Bardhi argumentoi se miratimi pa konsultime të mëtejshme mund të krijojë sërish probleme kushtetuese, ndërsa Taulant Balla deklaroi se Kuvendi duhet të vijojë me shqyrtimin dhe votimin e draftit.

Debati për pagat e magjistratëve lidhet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 17 shkurtit 2026, e cila i kërkoi Kuvendit të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore për ta përshtatur pagën e magjistratëve me standardet kushtetuese.

Sipas draftit të mazhorancës, ndryshimi prek pagën referuese mbi të cilën përllogariten pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Propozimi është kundërshtuar nga përfaqësues të sistemit të drejtësisë, të cilët kanë kërkuar një formulë më të favorshme.

Seanca e së enjtes është shoqëruar gjatë gjithë ditës me replika të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa ardhja e kryeministrit Rama në orët e mbrëmjes vjen në prag të fazës së votimeve.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu