
Një vendim i ri i Bashkimit Europian ka sjellë lehtësira të rëndësishme për lëvizjen e kafshëve të shoqërimit nga Serbia dhe Mali i Zi drejt vendeve anëtare të BE-së.
Sipas Rregullores (BE) 2026/1169, e cila ka hyrë në fuqi më 19 qershor 2026, kafshët e shoqërimit nga këto dy vende nuk do të kenë më nevojë për testin e detyrueshëm të antitrupave kundër tërbimit (rabies) për të udhëtuar drejt Bashkimit Europian.
Vendimi erdhi pasi Komisioni Europian vlerësoi se Serbia dhe Mali i Zi kanë ulur me sukses rrezikun e përhapjes së tërbimit, duke përmbushur standardet e kërkuara nga BE.
Heqja e testit eliminon gjithashtu periudhën e pritjes prej 90 ditësh, duke e bërë më të lehtë adoptimin dhe transportimin e kafshëve drejt vendeve europiane.
Ndërkohë, organizatat dhe aktivistët për mbrojtjen e kafshëve në Shqipëri kërkojnë që autoritetet shqiptare të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të arritur të njëjtat standarde. Sipas tyre, kostot e larta të testimit dhe periudha e gjatë e pritjes vazhdojnë të jenë pengesë për adoptimet ndërkombëtare të kafshëve të shpëtuara.
Aktivistët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të përshpejtojnë procedurat dhe masat veterinare, në mënyrë që edhe Shqipëria të përfshihet në listën e vendeve të përjashtuara nga ky detyrim.






