Politika britanike është futur në një fazë të re pas dorëheqjes së kryeministrit britanik Keir Starmer, i cili njoftoi largimin nga drejtimi i qeverisë dhe i Partisë Laburiste.

Starmer deklaroi se do të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjen e pasuesit të tij, proces që pritet të përfundojë para rikthimit të Parlamentit në shtator. Në një fjalim emocional para Downing Street, ai falënderoi familjen dhe bashkëpunëtorët e tij, duke theksuar se çdo vendim që ka marrë ka qenë në interes të vendit.

Menjëherë pas njoftimit, Andy Burnham konfirmoi kandidaturën për drejtimin e Partisë Laburiste dhe u betua si deputet i ri i Makerfield në Dhomën e Komunëve, mes duartrokitjeve të deputetëve laburistë.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting, i cili më parë kishte paralajmëruar kandidaturën e tij, deklaroi se do të mbështesë Burnhamin për postin e liderit dhe kryeministrit të ardhshëm.

Ndërkohë, lideri i Reform UK, Nigel Farage, kërkoi zgjedhje të parakohshme, duke argumentuar se kryeministri i ardhshëm nuk do të jetë zgjedhur drejtpërdrejt nga votuesit britanikë.

Sipas kalendarit të shpallur nga Partia Laburiste, nominimet për liderin e ri do të hapen më 9 korrik. Nëse Burnham mbetet kandidati i vetëm, ai mund të marrë drejtimin e partisë dhe qeverisë pa zhvilluar një garë të brendshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu