Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se protestat që nisën kundër projektit turistik të lidhur me familjen Trump në zonën e Zvërnecit kanë ndryshuar natyrë dhe janë shndërruar edhe në një betejë politike kundër qeverisë.

Në një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera, Rama tha se fillimisht i mori seriozisht shqetësimet e qytetarëve për mjedisin, por sipas tij protesta është zgjeruar me përfshirjen e forcave opozitare dhe ndikimeve të jashtme në rrjetet sociale.

“Nuk është më vetëm një shqetësim qytetar për mjedisin. Është gjithashtu një protestë politike e udhëhequr nga një koalicion partish opozitare, aktorësh politikë dhe rrjetesh nga jashtë vendit”, u shpreh ai.

Kryeministri argumentoi se emri Trump ka sjellë një përplasje globale në rrjetet sociale, duke pretenduar se Shqipëria është kthyer në një arenë ku përballen mbështetësit dhe kundërshtarët e presidentit amerikan.

“Nuk ka projekt përfundimtar”

Rama theksoi se qeveria nuk ka asgjë për të bllokuar, pasi sipas tij ende nuk ekziston një projekt përfundimtar për investimin.

“Nuk ka leje ndërtimi, nuk ka kantier ndërtimi dhe nuk ka një vendim përfundimtar. Një qeveri serioze nuk vepron mbi bazën e fantazive, por mbi bazën e dokumenteve, ligjeve dhe studimeve”, tha ai.

Sipas kryeministrit, çdo vendimmarrje do të bazohet vetëm në standardet ligjore, mjedisore dhe arkitekturore.

“Nuk kam frikë nga administrata amerikane”

I pyetur nëse po shmang një vendim për shkak të administratës amerikane, Rama u përgjigj se nuk ka frikë as nga SHBA-ja dhe as nga presioni në rrjetet sociale.

“Kriteri nuk do të jetë emri i investitorit. Do të jetë vetëm nëse projekti përmbush standardet që meriton Shqipëria.”

Kërkon ndjesë për gjuhën ndaj protestuesve

Rama pranoi se mund të ketë lënduar qytetarët që protestojnë me shqetësim të sinqertë për mjedisin.

“Nëse diçka që thashë ka lënduar njerëz të sinqertë që protestojnë, më vjen keq”, deklaroi ai, ndërsa shtoi se nuk i barazon protestuesit me, sipas tij, “fabrikat e shpifjes dhe propagandës”.

“Nuk ka shitje të Sazanit”

Kryeministri hodhi poshtë pretendimet se ishulli i Sazanit apo Laguna e Nartës po betonizohen.

“Nuk ka shitje të Sazanit. Nuk ka betonim të lagunës. Ka vetëm një proces që do të vlerësohet mbi bazën e ligjit dhe studimeve mjedisore”, u shpreh ai.

Për korrupsionin dhe BE-në

Në intervistë, Rama pranoi se pensionet mbeten të ulëta, se sistemi shëndetësor ka ende probleme dhe se të rinjtë kërkojnë më shumë mundësi, por shtoi se Shqipëria është më pranë Bashkimit Europian se kurrë më parë.

Sa i përket korrupsionit, ai tha se rëndësi ka fakti që drejtësia po heton edhe zyrtarë të lartë.

“Për herë të parë sistemi i drejtësisë po heton ministra, kryetarë bashkish, deputetë dhe njerëz të fuqishëm. Ky është fillimi i fundit të paprekshmërisë”, deklaroi Rama.

Në fund të intervistës, kryeministri theksoi se protestat paqësore nuk e dëmtojnë procesin e integrimit europian, ndërsa zgjidhjen e sheh te transparenca, dialogu dhe respektimi i ligjit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu