
Qeveria ka miratuar një subvencion prej 50 lekësh për litër nafte për transportin publik, si masë për të përballuar rritjen e çmimeve të karburanteve.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Sipas Karakaçit, masa do të përfshijë transportin qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas, ndërsa përfitues do të jenë të gjitha shoqëritë e transportit publik.
“Bëhet fjalë për 50 lekë për litër për të gjitha shoqëritë e transportit publik”, deklaroi ministri.
Ai shtoi se vendimi vjen pas takimeve me shoqatat e transportit, bashkitë dhe Ministrinë e Ekonomisë, ku janë diskutuar shqetësimet për kostot e larta të karburantit.
Sipas qeverisë, subvencioni do të aplikohet me efekt prapaveprues që nga muaji mars, periudhë kur nisën efektet e krizës së hidrokarbureve në Shqipëri.
“Një lajm i mirë tjetër është që këtë masë do e fillojmë që në muajin mars”, tha Karakaçi.
Vendimi pritet të ndikojë në uljen e presionit financiar për operatorët e transportit publik, të cilët prej muajsh kanë kërkuar ndërhyrje nga qeveria për shkak të rritjes së çmimeve të naftës.






