
Presidenti amerikan Donald Trump pritet të mbërrijë në Pekin për një vizitë shtetërore shumëditore me pasoja globale, ku do të zhvillojë bisedime vendimtare me liderin kinez Xi Jinping.
Takimi mes dy liderëve zhvillohet në një moment tensionesh të forta mes dy ekonomive më të mëdha të botës, me çështje të nxehta si teknologjia, tregtia, Tajvani dhe lufta Izrael-Iran në qendër të diskutimeve.
Sipas mediave amerikane, Trump pritet t’i kërkojë Xi Jinping të ushtrojë ndikim mbi Iranin për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe arritjen e një marrëveshjeje paqeje, ndërsa kriza energjetike globale vijon të rëndohet.
Vizita zhvillohet nën masa të forta sigurie në Pekin. Autoritetet kineze kanë mbyllur disa atraksione historike pranë Sheshit Tiananmen për shkak të ceremonive dhe masave të sigurisë për pritjen e presidentit amerikan.
Në delegacionin amerikan ndodhen edhe figura të rëndësishme të administratës dhe biznesit amerikan, përfshirë sekretarin e Shtetit Marco Rubio, sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, si dhe manjatët e teknologjisë Elon Musk dhe Tim Cook.
Në Pekin ndodhen gjithashtu drejtues të kompanive Boeing, Meta, Goldman Sachs, Qualcomm, Visa dhe BlackRock.
Trump dhe Xi Jinping pritet të diskutojnë edhe marrëveshje të reja tregtare dhe krijimin e bordeve të përbashkëta për tregtinë dhe investimet mes SHBA-së dhe Kinës.
Kjo është vizita e parë e Trump në Kinë që nga mandati i tij i parë në vitin 2017, kur Pekini organizoi një pritje madhështore në Qytetin e Ndaluar.






