IKMT ka konfirmuar probleme serioze në dy pallate të projektit gjigant Durrës Marina, duke bërë të ditur se godinat kanë pësuar ulje të strukturës deri në 28 centimetra.

Sipas raportit të Institutit të Ndërtimit, objekti 02 ka pësuar ulje prej 28 cm, ndërsa objekti 04 ulje prej 18 cm.

Verifikimet janë kryer nga një grup i posaçëm inspektimi i përbërë nga IKMT, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, IMT e Bashkisë Durrës dhe specialistë të Institutit të Ndërtimit.

Dy godinat janë pjesë e projektit të miratuar nga KKT në vitin 2023 dhe ndodhen aktualisht në fazën e sistemimeve të jashtme.

Pas konstatimeve, IKMT i është drejtuar zyrtarisht kompanisë zbatuese duke kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për realizimin e projekt-përforcimeve teknike që garantojnë stabilitetin e strukturave.

Sipas institucionit, projektet e përforcimit duhet të marrin më parë miratimin nga autoritetet përgjegjëse për standardet teknike të ndërtimit.

Projekti Durrës Marina konsiderohet një nga investimet më të mëdha në Shqipëri, me një vlerë totale prej 2 miliardë dollarësh.

Memorandumi i bashkëpunimit për projektin u firmos në vitin 2022 në prani të kryeministrit Edi Rama dhe zhvilluesit arab Mohamed Alabbar.

Projekti parashikon ndërtimin e 12 mijë apartamenteve, dy hoteleve me 850 dhoma, hapësira të gjelbra dhe Portin e Thatë që do të lidhet me hekurudhën Durrës-Prishtinë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu