
Policia vijon kërkimet për dy personat e dyshuar për plagosjen me armë të Daniel Pikulit, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në Lezhë.
Të dyshuarit janë identifikuar si Bebi (Gjergj) Voci dhe Ariseldo Voci, babë e bir, të cilët janë shpallur në kërkim.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë dyshohet se Pikuli dhe dy personat e tjerë janë përfshirë fillimisht në një konflikt fizik. Më pas, njëri prej tyre dyshohet se ka përdorur armën e zjarrit, duke plagosur Pikulin.
Pas ngjarjes, babë e bir dyshohet se janë larguar me një automjet tip “Volkswagen”. Lëvizjet e makinës janë gjurmuar deri në zonën e Shënkollit, ndërsa hetuesit kanë sekuestruar pamje nga kamerat e bizneseve përgjatë autostradës Lezhë-Laç.
Daniel Pikuli ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore të paqëndrueshme, ai nuk ka mundur të japë dëshminë për grupin hetimor.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të konfliktit, identifikimin e personit që dyshohet se qëlloi dhe kapjen e dy të kërkuarve.






