Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Jerevan me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare “Yerevan Dialogue”, pavarësisht faktit se Armenia ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Gjatë takimit bilateral, palët diskutuan për çështje me interes të përbashkët, zhvillimet globale si dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit në nivel evropian. Kurti e cilësoi takimin produktiv dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në një reagim në rrjetet sociale, ai bëri të ditur se është rënë dakord për rritjen e koordinimit dhe bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme, ndërsa i ka bërë edhe ftesë kryeministrit armen për një vizitë në Prishtinë.

Edhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës konfirmoi se në fokus të bisedimeve ishin bashkëpunimi ekonomik, investimet, tregtia si dhe shkëmbimet akademike dhe kulturore, me synim ndërtimin e marrëdhënieve më të qëndrueshme mes dy vendeve.

Po ashtu, Kurti falënderoi Armeninë për kontributin e forcave të saj në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes demokracive për ruajtjen e paqes në Evropë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu