
Irani ka marrë një përgjigje nga Shtetet e Bashkuara lidhur me propozimin e tij më të fundit për paqe, ndërsa tensionet mes dy vendeve mbeten të larta pavarësisht armëpushimit në fuqi.
Sipas mediave shtetërore iraniane, përgjigjja e Uashingtonit është dorëzuar përmes Pakistanit dhe aktualisht po shqyrtohet nga autoritetet në Teheran. Nga ana tjetër, SHBA nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë komunikim.
Propozimi i Iranit përfshin një plan me 14 pika, ku kërkohet tërheqja e forcave amerikane nga afërsia e kufijve iranianë, heqja e bllokadës detare dhe ndalimi i të gjitha armiqësive në rajon. Po ashtu, Teherani ka kërkuar arritjen e një marrëveshjeje brenda 30 ditësh.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do ta shqyrtojë planin, por u shpreh skeptik për pranueshmërinë e tij. Ai paralajmëroi se rifillimi i sulmeve ushtarake ndaj objektivave në Iran mbetet një mundësi.
“Nëse ata sillen keq… është një mundësi”, tha Trump, duke shtuar se SHBA nuk kanë ndërmend të tërhiqen nga konflikti.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Irani ka kufizuar ndjeshëm lëvizjen e anijeve në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të naftës në botë, duke rritur shqetësimet për furnizimin global me energji.
Megjithëse një armëpushim është në fuqi që prej fillimit të prillit, retorika e ashpër dhe mosmarrëveshjet mbi kushtet e paqes tregojnë se një zgjidhje përfundimtare mbetet ende larg.






