Ish-ministrja e Arsimit në qeverinë “Rama”,  Besa Shahini ka njoftuar se është bërë nënë për herë të dytë. Në një postim në Facebook, Shahini tregon se fëmija ka ardhur në jetë tri javë më parë në QKUK në Prishtinë.

“U bënë tri javë prej kur lindi bebi, kësaj radhe në QKUK-në e Prishtinës”, shkruan Shahini, duke shpjeguar se lindja dhe javët e para pas saj kanë qenë arsyeja e mungesës së saj nga angazhimet publike.

Ky është fëmija i dytë i Besa Shahinit me bashkëshortin e saj, kreun e PSD-së, Dardan Molliqaj. Çifti u bë prind për herë të parë së bashku në prill të vitit 2022, kur Shahini solli në jetë një vajzë në Tiranë.

Molliqaj ka edhe një vajzë nga martesa e tij e parë. Kështu, për Shahinin ky është fëmija i dytë, ndërsa për Molliqajn i treti.

Në postimin e saj, Shahini vlerëson kujdesin e marrë në QKUK, veçanërisht punën e infermierëve, por njëkohësisht ngre shqetësimin për ngarkesën e madhe dhe pagat e ulëta të tyre.

Ajo sjell të dhëna sipas të cilave në sistemin publik të Kosovës punojnë mbi 7,700 infermierë, ose rreth 5 për 1,000 banorë. Shahini e krahason këtë shifër me Gjermaninë dhe Danimarkën, ku raporti është mbi 12 infermierë për 1,000 banorë, dhe Norvegjinë, ku kalon 16.

Sipas saj, Kosovës do t’i duhen 41 vite për të arritur mesataren e BE-së për numrin e infermierëve, ndërsa për shtretërit spitalorë për frymë diferenca është edhe më e madhe.

Shahini paralajmëron se plakja e popullsisë do të shtojë nevojën për investime në shëndetësi, duke e cilësuar situatën një “emergjencë kombëtare” që duhet adresuar urgjentisht.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu