
Ish-presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas dështimit për zgjedhjen e presidentit të ri, duke e cilësuar situatën si një moment të vështirë për vendin dhe duke bërë thirrje për unitet.
Në mesazhin e saj, Osmani thekson se Kosova ka kaluar edhe momente më të rënda dhe ka ditur të ringrihet, ndërsa kërkon që përçarja dhe propaganda të zëvendësohen me dashuri, shpresë dhe të vërtetë.
Ajo apelon për bashkim të klasës politike dhe qytetarëve, duke theksuar se rrugët e mbyllura nga padrejtësitë hapen gjithmonë nga populli.
Kriza politike u thellua pas dështimit të seancave në Kuvend për zgjedhjen e presidentit, ku mungesa e opozitës bëri që të mos arrihej kuorumi i nevojshëm prej 80 deputetësh. Në sallë ishin të pranishëm vetëm 64 deputetë të shumicës.
Si pasojë, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme brenda 45 ditësh, duke shtuar pasigurinë politike në Kosovë.






