
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili iu përgjigj me akuza të forta Sali Berishës gjatë debatit në Kuvend për çështjen e SHISH-it. Duke sjellë në vëmendje veprimtarinë e ish-SHIK-ut, ngjarjet e vitit 1997 dhe rastin e Remzi Hoxhës, Ismaili akuzoi ish-kryeministrin se e kishte përdorur shërbimin informativ si instrument të pushtetit të tij.
“Nuk harrojnë shqiptarët, se nuk ka se si të harrojnë”, u shpreh ministrja, duke kundërshtuar qëndrimet e opozitës për rënien e shtetit. Sipas saj, historia e SHIK-ut gjatë qeverisjes së demokratëve lidhet me përndjekje, përgjime dhe dhunë ndaj kundërshtarëve.
Ismaili u ndal veçanërisht te roli i Bashkim Gazidedes gjatë trazirave të vitit 1997, duke i kërkuar Berishës të japë shpjegime edhe për largimin e ish-kreut të shërbimit nga Shqipëria.
“Po si mund të harrohet SHIK-u i Gazidedes, si drejtues i operacionit famëkeq të ’97-ës për shtypjen e revoltave popullore?”, tha ajo.
Në vijim, ministrja përmendi dënimin e ish-zyrtarit të SHIK-ut, Ilir Kumbaro, në çështjen e rrëmbimit të biznesmenit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Remzi Hoxha, si dhe ngriti pikëpyetje për pjesëmarrjen e biznesmenit Damir Fazliç në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me ftesë të Berishës.
Duke iu referuar një vizite të kreut të PD-së në Vlorë, Ismaili e lidhi pritjen me fishekzjarre me kujtesën e ngjarjeve të vitit 1997. Ajo akuzoi SHIK-un e asaj periudhe për armatosjen e mbështetësve të pushtetit, djegie redaksish dhe dhunë ndaj gazetarëve.
Përballë këtyre akuzave për të shkuarën, ministrja mbrojti qëndrimin e mazhorancës ndaj hetimit të drejtueses së SHISH-it. Sipas saj, përgjegjësia përpara ligjit është individuale dhe hetimi i një funksionari dëshmon se askush nuk gëzon pushtet absolut.
“Ne luftojmë për të garantuar pavarësinë e drejtësisë, ju luftoni drejtësinë”, deklaroi Ismaili.
Ajo e akuzoi opozitën për qëndrime të dyfishta ndaj organeve të drejtësisë, duke thënë se i mbështet hetimet kur prekin përfaqësues të mazhorancës, por i cilëson të kapura kur hetohen përfaqësues të saj.
“S’mund të thoni se ka drejtësi kur në hetim është një subjekt i mazhorancës, por drejtësia është e kapur kur është subjekt i hetimit të opozitës. Drejtësi me dy standarde nuk ka”, u shpreh ministrja.
Fjala e plotë:
Se që, që ta dish, e nderuar zonja kolege, statuset e mia për çfarë nuk shkon janë aty, sikurse me të njëjtën forcë edhe zë i them edhe sot gjyq gjë që ti nuk ke patur dhe s’ke guximin ta bësh kundër liderit tënd. Tani, që ta dini ju me çfarë dëgjuam ne sot këtu, dhe që shpesh herë e dëgjojmë të thuhej se ne si popull në fakt harrojmë, shpejt, por unë mendoj se kjo është një tezë e atyre që mundohen të gjejnë ngushëllim te harresë e shqiptarëve për të gjitha të zezat që i kanë bërë këtij vendi e këtij populli.
Nuk harrojnë shqiptarët se nuk ka se si të harrojnë. SHIK sot, një temë a fjalë që u fol dhe u përmend shumë, por që në fakt është një institucion që prej viteve ’90 e në vijim me gjithë ngjarjet e zhvilluara ka përfaqësuar rënien e shtetit, përveçse sot. Po s’kanë se si ta harrojnë shqiptarët SHIK-un kur ju si mazhorancë atëherë jemi kujdesur t’i lini memories institucionale plot fakte e ngjarje, urdhra, histori, të shkruara me gjakun e atyre që mbi kurriz dhe me jetë vuajtën pushtetin tuaj të pakufijshëm mbi pushtet mbi çdo lloj pushteti, qofshin edhe ato të presupozuara të pavarura. S’kanë si ta harrojnë shqiptarët SHIK-un e atëhershëm si pushtet i pakufijshëm në duart e xhelatëve të të gjithëpushtetshmit, Sali Berisha, që përndiqte, që përgjonte, që dhunonte, vriste si polici politike, gati institucion i militarizuar fashist që nuk jepte llogari askund e gjemb në këmbë nuk i ka hyrë përveçse të ndiqte udhrrat e një shteti pa shtet, por me një kokë.
Po si mund ta harrojnë shqiptarët SHIK-un e atëhershëm kur nën mburojën e një kryeministri që urdhëronte policinë e shtetit të mos zbatonte urdhrin e arrestit që prokuroria e kishte nxjerrë për një ish-funksionar të SHIK-ut nga ata besnikët e Berishës, e që i madhërishmi kishte shpërblyer duke emëruar Drejtor të Përgjithshëm të Tatimeve. Po si mund ta harrohet SHIK-u i Gazidedes, more ma thoni pak, si drejtues i operacionit famëkeq të 97-ës për shtypjen e revoltave popullore?
Po dëgjoni, ç’keni, dëgjoni? SHIK-un, jo më larg se 2012-ën, kur ish-zyrtar i lartë i shikut Ilir Kumbaro u dënua me 15 vjet burg për torturën që shkaktoi vdekjen e Remzi Hoxhës. Po ka shqiptarë që harrojnë se në 2009-ën meqë folët për NATO-n ju këtu, aleanca e NATO-s në 2009-ën kufizoi përkohësisht aksesin e qeverisë shqiptare në rrjetet e saj të sigurisë dhe në dokumentet e nivelit të lartë të klasifikuar, veçanërisht ato që lidheshin me inteligjencën dhe energjinë bërthamore. E harruat ju këtë gjë?
Po na trego pak se si ti ndihmove ta arratisej nga Shqipëria në qershor të ’97-ës ish-kreun e Shërbimit Informativ Kombëtar që u strehua kryesisht në Turqi dhe Siri.
Kuriozitet të fortë kam të di se si biznesmeni serboboshnjak Damir Fazliç ka marrë pjesë në një mbledhje të këshillit të sigurisë kombëtare me ftesë të posaçme tënden si kryeministër atëherë, Sali Po pashë që kishe qenë dhe në Vlorë, me fishekzjarre në mes të ditës, a thua se kaq shumë do t’ia kujtosh Vlorës ’97-ën kohë kjo kur ti, Sali Berisha, përdorje SHIK-un për armatosjen e mbështetësve të tu kundër protestave? SHIK-un që më parë digjte redaksi, gazetash, rrëmbente, dhunonte, sakatonte gazetarë kur ekzekutonte arrestime pa procedura, por me urdhra, shtet pa shtet si ky që keni qeverisur ju nuk ka më.
Shteti, shteti që është shtet i ka pushtetet e ndara, ku secili funksionar ka përgjegjësi individuale përpara ligjit mbi çdo shkelje, duke u hetuar me gjithë pavarësinë që drejtësia e re u garanton organeve kompetente.
Duam drejtësi apo nuk duam drejtësi? Ne luftojmë për të garantuar pavarësinë e drejtësisë, ju luftoni drejtësinë. Po si kujtoni ju se vjen e garantohet drejtësia përveçse duke i treguar kujtdo se nuk ka pushtet absolut dhe se privilegji i të besuarit për të qenë në krye të një funksioni vjen me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri dhe se ka marrë fund pandëshkueshmëria. S’mund të thoni se ka drejtësi kur në hetim është një subjekt i mazhorancës, por drejtësia është e kapur kur është subjekt i hetimit të opozitës. Drejtësi me dy standarte nuk ka. Keni sharë, e keni intimiduar drejtësinë me gjithçka mban ky sistem, dhe si mbrojtje të subjekteve tuaja gjatë hetimit keni çuar partinë të protestojë në dyert e drejtësisë. Askush nuk ka imunitet përpara drejtësisë së re, si vullnet i kësaj mazhorance. As SHISH sot. Vullneti i mazhorancës u shpreh nga një vendim për ta shkarkuar menjëherë kryetaren e SHISH, gjë që është ekzekutuar edhe me dekret të presidentit duke garantuar paanësi dhe pavarësi të drejtësisë në ndjekjen e kësaj çështjeje dhe të çdo çështjeje tjetër.
Kryetarja e SHISH, sikurse çdo subjekt nën hetim prezumohet e pafajshme derisa të ketë një vendim. Po e dini çfarë nuk mund të prezumohet dot i pafajshëm. Të gjitha ato raste që prej hetimit a mos hetimit nuk prehen dot në paqe, siç janë viktimat e SHIK-ut ndër vite, të 21 janarit apo të Gërdecit. Se që ta dini ju, ka ende raste kur dhimbja e ulërin për drejtësi të munguar e kur ndërgjegjja juaj kundërmon. Dhe sa për informacion, ty Muli edhe Gazi ju kam lënë të merreni vesh për akuzat që Gaze t’i ka hedhur për vilat e blera me lekë te drogës.






