
Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, e cila u paraqit këtë të enjte në GJKKO për vlerësimin e masës së vendosur ndaj saj.
Hyseni, e shkarkuar tashmë nga drejtimi i Shërbimit Informativ Shtetëror, mbërriti në gjykatë me automjet policie dhe e shoqëruar nga avokati i saj, Kastriot Selita.
SPAK e heton ish-kreun e SHISH për veprat penale “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”, në kuadër të hetimeve që lidhen me Ergys Agasin.
View this post on Instagram
Sipas të dhënave të hetimit, në automjetin e Agasit janë gjetur nëntë faqe me dokumente sekrete të SHISH, të cilat SPAK dyshon se i janë vënë në dispozicion nga Hyseni. Ish-drejtoresha e SHISH, e pyetur më 18 shtator, ka deklaruar se kontaktet me Agasin lidheshin me faktin se ai ishte bashkëpunëtor i shërbimit.
Në dosjen e hetimit raportohet se janë administruar qindra komunikime mes Hysenit dhe Agasit, ndërsa SPAK po heton natyrën e kontakteve dhe informacionet e shkëmbyera mes tyre.
GJKKO ka lënë ndërkohë në burg edhe Fatjon Kalluçin, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, dhe Embro Sulejmanin, kryekamerier në një lokal pranë vilave qeveritare në Durrës.
Kalluçi dyshohet se i ka dërguar Agasit tri fotografi të ekspertizës së automjetit “Land Rover Defender”, të sekuestruar gjatë kontrolleve në “Equos Resort”. Ndërsa Sulejmani akuzohet se e ka ndihmuar Agasin gjatë periudhës kur ai qëndronte i fshehur, duke i dërguar ushqime në banesë. Sulejmani ka pretenduar se Agasi ishte klient i tij dhe se ai vetëm i dërgonte porositë apo i rezervonte tavolinë kur i kërkohej.
Hetimet për çështjen vijojnë. Të gjithë personat nën hetim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.






