
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale ka nisur zyrtarisht punën këtë të hënë, më 9 nëntor, por mbledhja e parë është zhvilluar pa praninë e opozitës, e cila ka paralajmëruar bojkotimin e procesit.
Në krye të komisionit është sërish deputeti socialist Arbjan Mazniku, i cili prezantoi hapat e ardhshëm të reformës dhe u bëri thirrje përfaqësuesve të opozitës të bashkohen në diskutime.
Faza e dytë vjen pas ndryshimeve të hartës territoriale, që parashikojnë uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, me konstituimin e bashkive të reja pas zgjedhjeve vendore të vitit 2027.
Mazniku: Reforma nuk mund të ndërtohet vetëm nga njëra palë
Gjatë mbledhjes, Mazniku theksoi se pjesëmarrja e opozitës është e domosdoshme për një proces që prek drejtpërdrejt organizimin e pushtetit vendor.
“Është e rëndësishme të përmend parimin e gjithëpërfshirjes. Një reformë që prek në mënyrë të qenësishme arkitekturën e shtetit nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse ndërtohet nga një palë e vetme”, deklaroi ai.
Kreu i komisionit theksoi se ftesa për opozitën do të mbetet e hapur gjatë gjithë kohëzgjatjes së punimeve.
Ai kërkoi që partitë opozitare të paraqesin në Kuvend emrat e përfaqësuesve të tyre, në mënyrë që të marrin pjesë në diskutimin dhe hartimin e ndryshimeve ligjore.
Tre ligje do të ndryshojnë, afat gjashtë muaj për projektet
Faza e dytë e reformës do të përqendrohet në katër drejtime kryesore: qeverisjen vendore, funksionet, financat dhe realizimin e reformës.
Sipas Maznikut, komisioni do të rishikojë tre ligje kryesore:
- Ligjin nr. 139 për vetëqeverisjen vendore.
- Ligjin nr. 68 për financat e vetëqeverisjes vendore.
- Ligjin nr. 102 për zhvillimin rajonal dhe kohezionin.
Komisioni ka një afat deri në gjashtë muaj për hartimin e projektligjeve.
Megjithatë, ndryshimet që lidhen drejtpërdrejt me zgjedhjet vendore të vitit 2027 synohet të përfundojnë brenda vitit 2026.
“Çështjet që lidhen me zgjedhjet vendore të vitit 2027, ato amendime t’i realizojmë brenda vitit 2026. Gjërat e tjera për financat dhe realizimin duhet të synojmë të miratohen brenda sesionit të ardhshëm parlamentar”, tha Mazniku.
Komisioni zgjerohet në 18 anëtarë
Në mbledhjen e parë u miratua edhe ndryshimi i përbërjes së komisionit, pas një kërkese të kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.
Numri i anëtarëve u rrit në 18, me këtë përfaqësim:
- 9 anëtarë nga Partia Socialiste.
- 5 anëtarë nga Partia Demokratike.
- 1 anëtar nga Aleanca për Ndryshim.
- 1 anëtar nga Partia e Lirisë.
- 2 anëtarë nga partitë që kanë fituar të paktën dy mandate në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Emrat e anëtarëve do të përcaktohen me vendim të Kuvendit.
Sekretar i komisionit u zgjodh Klevis Jahaj.
Ftesë universiteteve dhe shoqërisë civile
Mazniku bëri të ditur se faza e dytë e reformës do të zhvillohet në bashkëpunim me qeverinë, ministritë, agjencitë kombëtare dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor.
Ai ftoi gjithashtu universitetet, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë të kontribuojnë me propozime konkrete.
Sipas tij, ndryshimi i hartës së bashkive përbën vetëm një pjesë të reformës, ndërsa faza e dytë synon të përcaktojë mënyrën se si do të funksionojnë dhe financohen njësitë e reja vendore.
Nisja e punës pa opozitën mbetet një nga çështjet kryesore politike të procesit, ndërsa mazhoranca ka deklaruar se dera për pjesëmarrjen e saj do të qëndrojë e hapur.






