Propozimi për shkrirjen e Bashkisë Dimal dhe bashkimin e saj me Beratin ka shkaktuar kundërshtime të forta në Këshillin Bashkiak, përfshirë edhe nga vetë drejtuesja socialiste e bashkisë.

Në një mbledhje emergjente të Këshillit Bashkiak u paraqit relacioni që propozon shkrirjen e Dimalit. Në dokument, bashkimi me Beratin argumentohet me lidhjet historike mes dy zonave, shtrirjen e tyre përgjatë lumit Osum dhe faktin që spitali ndodhet në qytetin e Beratit.

Por këshilltarët bashkiakë kundërshtuan argumentet, duke deklaruar se ato nuk përputhen me analizën e raportit të ekspertëve.

Kundër propozimit doli edhe kryetarja socialiste e Bashkisë Dimal, Juliana Memaj. Ajo deklaroi se mungon një analizë e plotë për avantazhet që do të sillte bashkimi, si dhe projeksionet për ndikimin që njësia e re do të kishte në zhvillimin e zonës dhe në shërbimet ndaj qytetarëve.

Memaj argumentoi se Dimali është një bashki që vetëfunksionon dhe ka performancë të lartë ekonomike, ndaj, sipas saj, duhet të vazhdojë të jetë njësi vendore më vete. Kryebashkiakja theksoi se qëndrimi i saj lidhet me detyrimin për të mbrojtur interesat e qytetarëve që e kanë zgjedhur dhe me betimin që ka bërë mbi Kushtetutë përpara marrjes së mandatit.

Memaj kundërshton shkrirjen e Dimalit, argumenton mungesën e analizës për përfitimet e bashkimit dhe deklaron se mbron interesat e qytetarëve.

Në përfundim të mbledhjes, kundërshtimi mori edhe mbështetjen e shumicës dërrmuese të Këshillit Bashkiak. 18 nga 21 anëtarët votuan pro pavlefshmërisë së propozimit dhe kundër shkrirjes së Bashkisë Dimal.

Propozimi për bashkimin e Dimalit me Beratin është pjesë e diskutimeve për reformën e re territoriale, e cila ka shkaktuar kundërshtime edhe në bashki të tjera të vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu