
Mali i Tomorrit është kthyer këto ditë në destinacionin e mijëra pelegrinëve nga Shqipëria, diaspora dhe vende të tjera të botës, për një nga ngjarjet më të mëdha të besimit bektashian.
Pelegrinazhi tradicional zhvillohet nga 20 deri më 25 gusht, ndërsa më 22 gusht mbahet ceremonia tradicionale e Selisë së Shenjtë në Malin e Tomorrit.
Besimtarët udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut dhe varrit të Abaz Aliut, ku luten për shëndet, mirësi dhe paqe në familjet e tyre. Shumë prej tyre ngrenë çadra, kryejnë kurbanin tradicional dhe ngjiten drejt vendeve të shenjta të malit.
Për shkak të fluksit të madh, Policia e Beratit ka ngritur një plan të posaçëm masash. Shërbime shtesë janë vendosur në akset që çojnë drejt Malit të Tomorrit dhe Teqesë së Kulmakut, me synim garantimin e rendit dhe sigurisë rrugore.
Për automjetet që ngjiten drejt Teqesë, itinerari kalon nga Rrethrrotullimi i Kombinatit, Unaza e Beratit, Rrethrrotullimi i Uznovës dhe Kryqëzimi i Plirëzit. Për kthimin është përcaktuar aksi Teqeja e Kulmakut–Bargullaz–Pronovik–Poliçan–Uznovë–Berat.
Policia u kërkon drejtuesve të automjeteve të shmangin qëndrimet në akset e përcaktuara dhe të respektojnë udhëzimet e efektivëve gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit.






