
Mbledhja jashtë radhe e Këshillit Bashkiak të Maliqit, ku pritej të merrej një qëndrim zyrtar për propozimin e bashkimit të bashkisë me Korçën, është mbyllur pas vetëm 20 minutash mes debateve dhe tensioneve.
Mbledhja ishte thirrur nga opozita dhe në rendin e ditës ishte parashikuar miratimi i qëndrimit që Këshilli Bashkiak do t’i përcillte Kuvendit të Shqipërisë në kuadër të reformës së re administrativo-territoriale.
Situata ndryshoi kur këshilltarët e majtë lexuan një deklaratë, duke njoftuar se nuk do të merrnin pjesë në vendimmarrjen për propozimin. Menjëherë më pas, kryetari i Këshillit deklaroi mbylljen e mbledhjes.
Largimi i këshilltarëve të mazhorancës nga salla solli reagime të forta nga opozita dhe qytetarët e pranishëm, të cilët kundërshtuan mënyrën se si u ndërpre mbledhja.
Më herët, Këshilli Bashkiak kishte zhvilluar takime me qytetarët për të marrë mendimin e tyre mbi propozimin për bashkimin e Bashkisë Maliq me atë të Korçës.
Mbledhja e së enjtes pritej të finalizonte këtë proces dhe të përcaktonte qëndrimin që do t’i dërgohej Kuvendit. Por mazhoranca refuzoi të marrë një vendim, duke argumentuar se ka ende paqartësi rreth propozimit.
Në përfundim, Këshilli Bashkiak i Maliqit mbeti pa një qëndrim zyrtar për një nga çështjet më të debatueshme të reformës së re territoriale.






