
Një dëshmi tronditëse ka ardhur nga nëna e 4-vjeçarit që dyshohet se është dhunuar në kopshtin nr. 6 në Korçë, ngjarje për të cilën është arrestuar një edukatore. Volsjana Plasa ka rrëfyer momentet e frikës që, sipas saj, ka përjetuar djali i vogël, si dhe përballjen me stafin e institucionit, të cilin e akuzon se fillimisht nuk i besoi denoncimet e fëmijës.
Në një intervistë për Top Channel, nëna tregoi se gjithçka kishte nisur katër ditë më parë, kur djali i kishte thënë se edukatorja e godiste.
“Para katër ditëve djali më është ankuar, më ka thënë që mësuese Xheni më godet. Kam shkuar atje dhe u kam thënë që fëmija më ankohet. Ato më thonë që jo, sepse fëmija është ters dhe gënjen”, rrëfeu Plasa.
Sipas saj, situata u bë edhe më shqetësuese kur 4-vjeçari i tregoi se ishte mbyllur në qilar dhe se kishte frikë të shkonte në kopsht.
“Djali kishte frikë, madje më tha në prezencë të edukatores që më goditën dhe më futën në qilar. Ju kërkova me lutje stafit që djalin mos e fusnin në qilar sepse është fëmijë dhe më është trembur”, deklaroi nëna.
Ajo pretendon se edukatoret vazhdonin ta cilësonin fëmijën gënjeshtar, ndërsa drejtuesja e kopshtit e kishte siguruar se një ngjarje e tillë ishte e pamundur, pasi ambientet monitoroheshin me kamera.
Por momenti më i rëndë, sipas Volsjana Plasës, ndodhi kur shkoi të merrte djalin rreth orës 13:30.
Nëna rrëfeu se e kishte gjetur fëmijën në oborr, ndërsa edukatorja po e shtrëngonte nga dora dhe po i bërtiste.
“Shkoj për të marrë djalin rreth orës 1:30 dhe e shoh që e kishin nxjerrë në oborr. Mësuesja e kishte shtrënguar në dorë djalin e po i thërriste. U tmerrova nga ajo që pashë”, tregoi ajo.
Sipas nënës, edukatorja po i drejtohej 4-vjeçarit me fjalët: “Pse gënjen, o mashtrues?”
Plasa deklaroi se ndërhyri menjëherë për të mbrojtur të birin, ndërsa pretendon se gjatë përplasjes me stafin iu mor dhe iu hodh telefoni, si dhe u prek fizikisht nga një prej punonjëseve.
Pas incidentit, ajo mori fëmijën dhe shkoi drejtpërdrejt në komisariat për të bërë denoncimin.
Nëna tregoi se, ndërsa ndodhej në polici, ishte telefonuar nga drejtoresha e kopshtit, e cila i kishte kërkuar një takim për t’u sqaruar.
“Më kërkoi falje dhe më dha të drejtë, por i thashë që do ndjek rrugën ligjore”, deklaroi Plasa.
Ajo zbuloi se disa ditë më parë kishte vënë re edhe një shenjë të kuqe në qafën e djalit, për të cilën fëmija i kishte thënë se ishte goditur nga mësuesja.
Në përfundim të rrëfimit, nëna e 4-vjeçarit u bëri thirrje institucioneve arsimore të ushtrojnë kontrolle më të rrepta në kopshte, për të garantuar sigurinë e fëmijëve.
“Fëmija im foli edhe në prezencë të psikologes, po ata fëmijë që nuk flasin dot, kushedi sa janë dhunuar?”, u shpreh ajo.
Rrëfimi i Volsjana Plasës ka nxjerrë në pah shqetësime serioze për trajtimin e fëmijëve në institucionet parashkollore, ndërsa pretendimet për dhunën dhe veprimet e stafit mbeten objekt i verifikimeve nga autoritetet.






