
Një këngëtare islandezo-kineze po shndërron fansat e rinj në vizitorë muzesh, bibliotekash dhe sallash operistike. Laufey ka kthyer 23 gushtin në një festë globale të artit, e cila këtë vit zhvillohet në 75 qytete të 25 shteteve.
Ngjarja quhet “A Very Laufey Day” dhe nisi në vitin 2023, kur këngëtarja publikoi albumin “Bewitched”. Nga një nismë e vogël për fansat, ajo është kthyer në një fenomen kulturor ndërkombëtar.
Tema e edicionit të këtij viti është “Një festë e arteve”. Pjesëmarrësit ftohen të vizitojnë muze, librari, biblioteka dhe kafene, si dhe të ndjekin balet, opera, koncerte dhe shfaqje xhazi.
Në aktivitet janë përfshirë edhe institucione të njohura botërore, mes tyre Muzeu Guggenheim në Nju-Jork, Tate Modern në Londër dhe Muzeu Daelim në Seul. Ato kanë përgatitur shfaqje, produkte dhe përvoja të posaçme për fansat.
Laufey synon t’i bëjë hapësirat kulturore, që shpesh perceptohen si elitare ose të paarritshme, më tërheqëse për brezin Z dhe brezin Alfa. Muzika e saj ndërthur xhazin, muzikën klasike dhe tingujt bashkëkohorë, duke krijuar një urë mes traditës dhe kulturës së rrjeteve sociale.
Nisma synon gjithashtu krijimin e të ashtuquajturave “hapësira të treta”: vende jashtë shtëpisë dhe punës apo shkollës, ku të rinjtë mund të takohen, të krijojnë miqësi dhe të përjetojnë artin së bashku.
Në një kohë kur industria lufton për disa sekonda vëmendje në ekran, Laufey po bën të kundërtën: po i bind të rinjtë ta lënë telefonin dhe të hyjnë në muze./ Associated Press.






