
Një zjarr i fuqishëm shpërtheu mbrëmjen e së dielës në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, duke rrezikuar një hotel dhe një restorant pranë vatrës.
Flakët përfshinë një sipërfaqe me pemë dhe bimësi të lartë, ndërsa afërsia me objektet turistike ngriti alarmin për përhapjen e zjarrit.
Forcat zjarrfikëse ndërhynë me shpejtësi, izoluan flakët dhe e vunë situatën nën kontroll, duke shmangur dëmtimin e hotelit dhe restorantit.
Ministrja Erjona Ismaili, deputete e Vlorës konfirmoi normalizimin e situatës përmes një reagimi në rrjetet sociale.
“Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe gatishmërisë së forcave zjarrfikëse, flakët janë izoluar dhe situata është normalizuar. Nuk ka vend për panik”, shkroi Ismaili.
Zjarri shkaktoi gjithashtu ndërprerje të energjisë elektrike në zonën e Ujit të Ftohtë.
Ekipet zjarrfikëse vijojnë të qëndrojnë në terren për monitorimin e vatrës, garantimin e sigurisë dhe parandalimin e një riaktivizimi të mundshëm të flakëve.






