
Kryeministri Edi Rama ka ndezur rrjetin me një postim të shkurtër, por me shumë domethënie: “11 KORRIK në TIRANË 😍”. Dhe menjëherë pas kësaj, konfirmimi që po bën xhiron e rrjetit – Kanye West, tashmë i njohur si Ye, do të mbajë një super-koncert në Shqipëri.
Sipas njoftimit, bëhet fjalë për një “one-night-only stadium show” më 11 korrik 2026 në Eagle Stadium në Kashar.
Por, ndërsa fansat mezi presin spektaklin, në rrjetet sociale ka nisur një tjetër “kuriozitet kombëtar”: a do të vijë Ye vetëm… apo me partneren e tij shumë të komentuar, Bianca Censori?
E njohur për paraqitjet e saj shpesh provokuese dhe që kanë shkaktuar jo pak polemika ndërkombëtare, prania e saj në Tiranë do të ishte, pa dyshim, një “event brenda eventit”.
Në këtë pikë, pyetja që lind është më shumë se artistike: a është Shqipëria gati për një paketë të plotë “Ye experience”?
Ministri i Kulturës, në një postim në Facebook cilëson eventin si një “super-spektakël historik”, që do të mbahet në Eagle Stadium në Kashar, me një kapacitet rreth 60 mijë spektatorë. Një natë e vetme, një produksion global dhe një përpjekje për ta futur Shqipërinë në hartën e eventeve ndërkombëtare.
Për momentin, nga Ministria e Kulturës nuk ka asnjë koment për këtë “detaj”, por nëse Bianca zbret në Tiranë në stilin e saj të zakonshëm, mund të jetë prova më e madhe jo për skenën, por për nervat e opinionit publik.
Dhe këtu hyn dilema reale: a është Shqipëria gati për një event të përmasave globale… bashkë me paketën e plotë të skandalit që zakonisht e shoqëron?
Një gjë është e sigurt: 11 korriku nuk do të jetë thjesht koncert. Do jetë spektakël… në çdo kuptim të fjalës.






