
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar mundësinë e reduktimit të pranisë ushtarake amerikane në Gjermani, një nga bazat kryesore të SHBA-së në Europë.
Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump deklaroi se administrata amerikane po shqyrton një “reduktim të mundshëm” të trupave, ndërsa një vendim pritet të merret në një afat të shkurtër.
Aktualisht, më shumë se 36 mijë ushtarë amerikanë janë të dislokuar në Gjermani, duke e bërë atë vendin me praninë më të madhe të forcave amerikane në Europë. Një nga pikat kyçe është baza ajrore e Ramstein, e konsideruar si më e madhja jashtë territorit amerikan dhe me rol të rëndësishëm në operacionet në Lindjen e Mesme.
Deklarata e Trump vjen vetëm pak ditë pasi kancelari gjerman Friedrich Merz kritikoi SHBA-në, duke thënë se po “poshtërohet” nga Irani në negociatat e fundit.
Pas këtyre komenteve, Trump reagoi duke i kundërshtuar, duke deklaruar se Merz “nuk di për çfarë flet”.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul sqaroi se komentet e kancelarit kishin të bënin me sjelljen e Iranit në procesin negociues dhe jo drejtpërdrejt me SHBA-në.
Lëvizja e mundshme për tërheqjen e trupave mund të ndikojë në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Gjermanisë, në një moment kur bashkëpunimi ushtarak dhe sfidat globale të sigurisë mbeten të ndjeshme.






