
Svetlana Grković, bashkëshortja e serbit Ljubiša Karović, i cili mbeti i plagosur gjatë incidentit në një fluturim të Ryanair, ka rrëfyer momentet dramatike kur një dritare e kabinës u shkëput në mes të fluturimit.
Në një intervistë për Nova.rs, ajo tha se ngjarja ndodhi rreth 30 minuta pas ngritjes së avionit nga Selaniku drejt Memmingenit, kur dekompresioni bëri që bashkëshorti i saj të tërhiqej me forcë drejt hapjes së krijuar.
“Reagova menjëherë dhe i kapa këmbët. Më ndihmoi edhe një pasagjer, që besoj se ishte shqiptar. Së bashku ia mbajtëm këmbët derisa avioni u kthye në Selanik. Do të doja ta takoja për ta falënderuar personalisht”, tha ajo.
Sipas Svetlanës, Ljubiša Karović pësoi lëndime të rënda dhe vazhdon të trajtohet në një spital në Selanik.
Ndërkohë, Ryanair konfirmoi se gjatë fluturimit u shkëput një dritare e kabinës së pasagjerëve, avioni u ul në mënyrë të sigurt në Selanik dhe një pasagjer mori ndihmë mjekësore. Kompania bëri të ditur se shkaqet e incidentit janë ende nën hetim.






