Protesta kundër qeverisë para Kryeministrisë hyri në ditën e 45-të, ndërsa organizatorët minimizuan rënien e pjesëmarrjes, duke deklaruar se rëndësi kanë ditët e qëndresës dhe jo numri i protestuesve.

“Nuk do të numërohen numrat, por ditët që jemi në shesh”, u shpreh organizatorja Luciana Kokaj.

Gjatë tubimit, disa protestues përdorën retorikë të ashpër, duke bërë thirrje për dhunë ndaj kryeministrit Edi Rama raporton Shqiptarja.com. Njëri prej tyre u bëri thirrje Forcave të Armatosura që “ta tërheqin zvarrë” kryeministrin, ndërsa një tjetër deklaroi se pushteti mund t’i merret qeverisë “me forcë”, duke përdorur edhe shprehje kërcënuese.

Në protestë u komentua edhe deklarata e kryeministrit Rama nga Brukseli për shfuqizimin e ligjit të investimeve strategjike. Protestuesit e cilësuan këtë një fitore të presionit të tyre, ndërsa aktivisti Edison Lika deklaroi se nuk duhet të ketë integrim europian me Edi Ramën në krye të qeverisë.

Në fokus të fjalimeve ishte edhe fondi prej 4.2 milionë eurosh për organizimin e koncertit të Kanye West. Protestuesit akuzuan qeverinë për keqpërdorim të parave publike, duke pretenduar se ato fonde mund të ishin përdorur për investime në sistemin shëndetësor.

Pas fjalimeve, protestuesit zhvilluan marshimin e zakonshëm në rrugët e Tiranës, duke e mbyllur tubimin pas rreth një ore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu