Gazetari Enver Robelli kritikoi mungesën e një reagimi zyrtar nga Shqipëria pas deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998 do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Robelli tha se Shqipëria duhej të kishte mbajtur të njëjtin qëndrim si Bashkimi Europian, i cili e dënoi publikisht deklaratën.

“Mendoj që Shqipëria duhet të reagojë në raste të tilla. Do të bënte atë që bëri edhe BE-ja. Kur shtete të tjera reagojnë dhe Shqipëria hesht, e shoh këtë si mjaft problematike. Heshtja nuk është shenjë e mirë për dinjitetin shtetëror të Shqipërisë”, u shpreh ai.

Robelli kritikoi gjithashtu mungesën e reagimeve të kryeministrit Edi Rama edhe në përvjetorët e gjenocidit të Srebrenicës.

Gazetari zbuloi se ministrja serbe Snezhana Paunoviç është me origjinë nga Peja dhe është rritur në Kosovë, duke e cilësuar edhe më të rëndë deklaratën e saj.

“Kjo zonjë është rritur në Kosovë, i ka përjetuar vitet ’90 dhe represionin e regjimit serb ndaj shqiptarëve. Të ëndërrosh dëbimin e gati dy milionë shqiptarëve një çerek shekulli pas luftës nuk është vetëm deformim i diskursit, por një deformim i rrezikshëm mendor, që meriton jo vetëm vëmendje politike, por edhe mjekësore”, deklaroi Robelli.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu