
Pas ditëve me temperatura rekord, Italia po përballet me stuhi të fuqishme, erëra të forta dhe reshje intensive. Meteorologët shpjegojnë se një nga fenomenet më të rrezikshme që shoqëron këto kushte është “downburst”, i cili shpesh ngatërrohet me tornadot ose me të ashtuquajturat “bomba uji”.
Downburst ndodh gjatë stuhive të forta, kur masa e ajrit të ftohtë dhe të dendur zbret me shpejtësi nga reja drejt tokës. Sapo prek sipërfaqen, ajo përhapet horizontalisht duke krijuar erëra shumë të forta që mund të kalojnë shpejtësinë 100 kilometra në orë.
Ndryshe nga tornado, ku erërat rrotullohen rreth një boshti vertikal, te downburst era zbret drejt tokës dhe më pas shpërndahet në të gjitha drejtimet. Pikërisht kjo e bën fenomenin tepër të rrezikshëm për ndërtesat, automjetet dhe pemët.
Ekspertët theksojnë se downburst nuk duhet ngatërruar as me “bombën e ujit”. Kjo e fundit i referohet reshjeve shumë intensive në një periudhë të shkurtër, ndërsa downburst lidhet kryesisht me erërat shkatërruese. Të dy fenomenet mund të ndodhin gjatë së njëjtës stuhi, por kanë mekanizma dhe pasoja të ndryshme.
Meteorologët paralajmërojnë se kontrasti mes valëve ekstreme të të nxehtit dhe depërtimit të masave më të ftohta të ajrit favorizon krijimin e këtyre stuhive të dhunshme, të cilat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.






