Sipas një studimi të publikuar nga studiues të sjelljes së kafshëve, mënyra më e thjeshtë për të krijuar një lidhje me macen është përdorimi i të ashtuquajturit “slow blink” – mbyllja e ngadaltë e syve, e ngjashme me një buzëqeshje.

Për macet, ky gjest është një shenjë miqësie dhe qetësie. Studiuesit zbuluan se macet u përgjigjen më shpesh njerëzve që i shohin me sy gjysmë të mbyllur dhe madje afrohen më lehtë tek ata, sidomos kur shoqërohet edhe me zgjatjen e dorës.

Eksperimenti përfshiu rreth 50 mace të moshave nga 1 deri në 17 vjeç. Rezultatet treguan se macet jo vetëm e kthejnë këtë “buzëqeshje”, por janë edhe më të prira të krijojnë kontakt me njerëzit që përdorin këtë formë komunikimi.

Sipas psikologes Karen McComb, një prej autoreve të studimit, mjafton të ngushtoni sytë sikur po buzëqeshni, t’i mbyllni për pak sekonda dhe të prisni reagimin e maces. Ajo thotë se kjo teknikë funksionon jo vetëm me macet shtëpiake, por edhe me macet endacake.

Shkencëtarët besojnë se ky gjest përfaqëson të kundërtën e shikimit të ngulur, të cilin macet e interpretojnë si kërcënim. Për këtë arsye, “buzëqeshja me sy” është një nga mënyrat më efektive për të fituar besimin e tyre.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu