
Janë mësuar edhe tre skuadrat e tjera që kanë siguruar kualifikimin në fazën e 1/8-ave të Botërorit 2026. Shtetet e Bashkuara, Belgjika dhe Anglia dolën fituese nga sfidat e tyre në 1/16-at, duke vijuar rrugëtimin në turne.
SHBA mposhti 2-0 Bosnje-Hercegovinën në stadiumin e San Franciskos. Folarin Balogun zhbllokoi sfidën në fund të pjesës së parë, ndërsa Malik Tillman vulosi fitoren në minutën e 82-të. Amerikanët luajtën me një futbollist më pak për rreth 30 minuta pas kartonit të kuq të Balogun, por arritën ta ruanin avantazhin dhe do të përballen me Belgjikën në raundin tjetër.
Belgjika siguroi një kualifikim dramatik ndaj Senegalit me rezultatin 3-2 pas kohës shtesë. Afrikanët kryesonin 2-0 deri në minutat e fundit, por Romelu Lukaku ngushtoi diferencën në të 86-ën, ndërsa Youri Tielemans barazoi në të 89-ën. Po Tielemans realizoi edhe golin vendimtar me penallti në minutën e 124-t, duke i dërguar “Djajtë e Kuq” në 1/8-at.
Edhe Anglia vuajti më shumë se sa pritej përballë Republikës Demokratike të Kongos. Kongolezët kaluan në avantazh që në minutën e shtatë me Cipengën, por Harry Kane mori përsipër përgjegjësinë dhe me dy gola në pjesën e dytë përmbysi rezultatin në 2-1. Në fazën e ardhshme, “Tre Luanët” do të ndeshen me Meksikën.






