Qindra qytetarë dhe aktivistë u mblodhën në Cala Finanza, në bregun verilindor të Sardenjës, për të protestuar kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz me pesë yje përballë ishullit të Tavolarës.

Me flamujt tradicionalë të Sardenjës dhe sloganin “Cala Finanza është pasuri e të gjithëve”, protestuesit kundërshtuan planin e kompanisë italo-braziliane Tavolara Bay, pjesë e grupit JHSF, e cila synon të ndërtojë një beach club ekskluziv me vilën “Villa Joy” në qendër të kompleksit.

Në protestë morën pjesë banorë nga e gjithë Sardenja, por edhe qytetarë nga rajone të tjera të Italisë. Ata deklaruan se zona duhet të mbetet një pasuri publike dhe se nuk duhet t’i nënshtrohet zhvillimeve të mëdha turistike.

Edhe lëvizja indipendentiste “Liberu” iu bashkua protestës, duke theksuar se banorët e Sardenjës duhet të kenë të drejtën të vendosin vetë për territorin e tyre dhe duke kundërshtuar atë që e cilësojnë si spekulim me pasuritë natyrore.

Ndërkohë, Këshilli Bashkiak i Loiri Porto San Paolo ka revokuar vendimin me të cilin zona e Cala Finanza ishte riklasifikuar për zhvillimin e projektit.

Tashmë vëmendja është përqendruar te Gjykata Administrative Rajonale e Sardenjës (TAR), e cila më 8 korrik pritet të shqyrtojë padinë e paraqitur nga Rajoni i Sardenjës dhe organizata mjedisore GrIG kundër procedurës së miratuar nga qeveria italiane për projektin.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu