
Tetë ditë pas tërmetit shkatërrues që goditi Venezuelën, ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë garën me kohën për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja. Shpresa është përqendruar te Hernan Gil, një roje sigurie 43-vjeçare, i cili ndodhet i bllokuar nën një ndërtesë të shembur në Catia La Mar, në qytetin bregdetar La Guaira.
Sipas autoriteteve, ekipet e shpëtimit nga shtatë vende – Venezuela, Kili, Shtetet e Bashkuara, Portugalia, Kosta Rika, El Salvadori dhe Meksika – kanë punuar pa ndërprerje për tri ditë dhe ndodhen më pak se një metër larg tij.
Bilanci i fatkeqësisë vazhdon të rëndohet. Sipas të dhënave zyrtare, të paktën 2.295 persona kanë humbur jetën, mbi 11.200 janë plagosur dhe mijëra të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. Deri tani, 6.461 persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat.
Presidenti i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodriguez, bëri të ditur se rreth 26 mijë persona kanë mbetur pa banesa, ndërsa qeveria ka ngritur kampe të përkohshme dhe ka nisur përgatitjet për rindërtimin e zonave të shkatërruara.
Ndërkohë, presidentja në detyrë, Delcy Rodriguez, ka shpallur shtatë ditë zie kombëtare në nder të viktimave. Situata është përkeqësuar edhe nga reshjet e dendura, të cilat kanë vështirësuar operacionet e shpëtimit dhe kushtet e mijëra të pastrehëve.
Organizatat humanitare, përfshirë Mjekët Pa Kufij, kanë ngritur klinika të lëvizshme në zonat më të goditura, ndërsa dhjetëra vende vijojnë të dërgojnë ekipe shpëtimi dhe ndihma humanitare.






