
Bilanci i dy tërmeteve shkatërruese që goditën Venezuelën vijon të rëndohet. Sipas autoriteteve, të paktën 920 persona kanë humbur jetën, mbi 3.360 janë plagosur, ndërsa ekipet e shpëtimit po punojnë pa ndërprerje për të gjetur të mbijetuar nën rrënoja.
Operacionet e kërkim-shpëtimit po hyjnë në ditën e tretë, me ndihmën e ekipeve ndërkombëtare që kanë mbërritur nga dhjetëra vende. Sipas të dhënave të OKB-së, deri tani janë dislokuar mbi 20 ekipe të specializuara dhe më shumë se 2.265 efektivë, të mbështetur edhe nga 140 qen kërkimi.
Në zonën më të goditur, La Guaira, familjet vijojnë të qëndrojnë pranë ndërtesave të shembura me shpresën se të afërmit e tyre janë ende gjallë. Një prej tyre tha për BBC se kishte dëgjuar rënkimin e kushëririt të bllokuar nën rrënoja, ndërsa familjarët vazhdojnë të gërmojnë edhe me duar për ta nxjerrë.
Mes historive dramatike ka edhe raste që kanë rikthyer shpresën. Një foshnjë e porsalindur u nxor e gjallë nga rrënojat, ndërsa pamjet e shpëtimit të saj u pritën me duartrokitje nga ekipet e emergjencës.
View this post on Instagram
Shumë banorë kanë mbetur pa shtëpi dhe po strehohen në kampe të përkohshme, shkolla ose po flenë në rrugë nga frika e pasgoditjeve. Ndërkohë, dëmet në infrastrukturë dhe rrugët e bllokuara po e vështirësojnë punën e ekipeve të shpëtimit.
Dy tërmetet me magnitudë 7.2 dhe 7.5 goditën Venezuelën me vetëm 39 sekonda diferencë, duke shkaktuar një nga katastrofat natyrore më të rënda në historinë moderne të vendit. Autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet, pasi shumë persona rezultojnë ende të zhdukur.






