Bashkimi Europian i ka vendosur një gjobë rekord prej 200 milionë eurosh platformës kineze të tregtisë online “Temu”, pasi hetimet zbuluan shitjen e produkteve të paligjshme dhe të rrezikshme për konsumatorët europianë.

Komisioni Europian deklaroi se kompania kishte dështuar të identifikonte dhe analizonte rreziqet sistemike të produkteve që shiteshin në platformë, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve në BE.

Hetimi ndaj “Temu” nisi që në tetor të vitit 2024, në kuadër të rregullave të reja të Aktit të Shërbimeve Digjitale të Bashkimit Europian (DSA), që vendos detyrime të forta për platformat e mëdha online.

Sipas rezultateve të kontrollit, shumë karikues të blerë në platformë nuk kalonin testet bazë të sigurisë elektrike, ndërsa një pjesë e lodrave për fëmijë përmbanin nivele të larta kimikatesh ose pjesë të vogla që mund të shkaktonin mbytje.

Komisionerja europiane për teknologjinë, Henna Virkkunen, deklaroi se vendimi synon të japë një “mesazh shumë të fortë” për platformat online që nuk respektojnë standardet europiane.

Nga ana tjetër, “Temu” reagoi duke deklaruar se nuk pajtohet me vendimin dhe e konsideron gjobën joproporcionale.

Kompania tha se po shqyrton të gjitha mundësitë ligjore dhe këmbënguli se vendimi lidhet me situatën e vitit 2024 dhe jo me sistemet aktuale të platformës.

Përveç gjobës, “Temu” duhet të paraqesë deri më 28 gusht një plan konkret masash për korrigjimin e shkeljeve dhe përmirësimin e kontrollit të produkteve.

Kjo është vetëm gjoba e dytë e madhe e vendosur nga BE sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale, pas penalitetit prej 120 milionë eurosh ndaj rrjetit social “X” të Elon Musk.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu