Trajneri i ri i Shqipërisë, Rolando Maran, ka publikuar listën e parë si teknik i kuqezinjve për dy ndeshjet miqësore të muajit qershor ndaj Izraelit dhe Luksemburgut, duke sinjalizuar menjëherë ndryshime të forta në Kombëtare.

Shqipëria do të përballet me Izraelin më 3 qershor dhe me Luksemburgun më 6 qershor, në sfida që do të luhen në “Air Albania” në orën 20:00.

Italiani ka grumbulluar 27 futbollistë dhe risitë më të mëdha janë debutimet e portierit të Partizanit, Pano Qirko dhe mesfushorit Luis Hasa, talentit të Napolit që sezonin e fundit luajti te Carrarese në Serie B.

Hasa konsiderohet një nga afrimet më interesante të momentit. I rritur në akademinë e Juventusit dhe më pas pjesë e Italisë U-21, ai ka vendosur të përfaqësojë Shqipërinë. Sezonin e fundit zhvilloi 31 ndeshje, shënoi 5 gola dhe dha 4 asiste.

Ndërkohë, rikthehen në Kombëtare Alen Sherri, Simon Simoni, Andi Hadroj, Cristian Shpendi dhe Taulant Seferi, i cili mungonte prej një viti e gjysmë. Sulmuesi i Bodrumspor kishte luajtur për herë të fundit me kuqezinjtë në humbjen 1-2 ndaj Ukrainës në Ligën e Kombeve.

Nga ana tjetër, bien në sy mungesat e rëndësishme. Ernest Muçi, Thomas Strakosha, Rey Manaj dhe Nazmi Gripshi mungojnë për shkak dëmtimi, ndërsa Jasir Asani dhe Ivan Balliu janë lënë jashtë për zgjedhje teknike të trajnerit.

Asani nuk ka luajtur prej muajsh me Esteghlal në Iran për shkak të situatës së luftës në vend, ndërsa Balliu duket se po mendon edhe tërheqjen nga Kombëtarja.

Një tjetër emër që ka tërhequr vëmendje është Cristian Shpendi. Sulmuesi i Cesenës shihet si një nga talentet më premtues të sulmit shqiptar dhe pritet të marrë hapësira në epokën e re të Maran.

Kombëtarja do të nisë grumbullimin më 1 qershor në “Shtëpinë e Futbollit”, ku trajneri italian do të zhvillojë edhe seancat e para stërvitore me skuadrën.

Lista e plotë:

Portierë: Alen Sherri, Simon Simoni, Pano Qirko.

Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Klisman Cake, Bujar Pllana, Mario Mitaj, Naser Aliji, Stavro Pilo, Elseid Hysaj, Andi Hadroj.

Mesfushorë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Luis Hasa, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Taulant Seferi, Anis Mehmeti.

Sulmues: Mirlind Daku, Armando Broja, Myrto Uzuni, Cristian Shpendi.

Kuriozitete

  • Luis Hasa fitoi Europianin U-19 me Italinë para se të zgjidhte Shqipërinë.
  • Pano Qirko bëhet portieri i parë i Partizanit që grumbullohet në Kombëtare pas shumë vitesh.
  • Taulant Seferi rikthehet pas 18 muajsh mungesë.
  • Rolando Maran debuton si trajner i Shqipërisë pikërisht ndaj Izraelit.
  • Për herë të parë pas një kohe të gjatë, lista kuqezi ka më shumë lojtarë nga Serie B italiane.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu