
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Eric Wendt, ka zhvilluar këtë të premte një takim në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.
Diplomati amerikan është takuar me kreun e SPAK, Klodian Braho, si dhe me drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Wendt mbërriti në SPAK i shoqëruar nga anëtarë të delegacionit dhe zyrtarë të tjerë amerikanë.
Takimi vjen vetëm katër ditë pas një tjetër vizite të ambasadorit amerikan pranë drejtuesve të institucioneve të drejtësisë.
Në reagimin e mëparshëm për takimet, Ambasada e SHBA-së kishte theksuar se lufta kundër krimit transnacional, trafikut të narkotikëve dhe migracionit të paligjshëm është ndër përparësitë kryesore të administratës së Presidentit Donald Trump.
Sipas Ambasadës, në fokus të diskutimeve ka qenë roli i institucioneve të pavarura në përballimin e këtyre sfidave dhe bashkëpunimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit.






