Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri Eric Wendt zhvilloi këtë të mërkurë takimin me kryeministrin Edi Rama në Kryeministri.

Ambasada Amerikane bëri të ditur se në qendër të bisedimeve ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së në disa fusha kyçe.

“Një partneritet i fortë matet nga ajo që dy kombe arrijnë së bashku. Ambasadori Eric Wendt u takua sot me Kryeministrin Edi Rama për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, zgjerimin e tregtisë dhe investimeve, si dhe forcimin e luftës kundër krimit të organizuar”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane.

Takimi vjen pas marrjes zyrtarisht të detyrës nga Wendt si ambasador i SHBA-së në Tiranë.

Eric Wendt është ambasadori i 11-të amerikan në Shqipëri që prej rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në vitin 1991. Ai pason Yuri Kim ndërsa prej vitit 2023 Ambasada Amerikane në Tiranë ishte drejtuar nga Nancy VanHorn në cilësinë e së ngarkuarës me punë.

Wendt u konfirmua nga Senati amerikan më 8 gusht ndërsa emërimi i tij u formalizua me nënshkrimin e Presidentit Donald Trump.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu