Kryeministri Edi Rama ka konfirmuar nga Luksemburgu se qeveria synon realizimin e projektit të investimit të Jared Kushner në Shqipëri, ndërsa ka komentuar edhe çështjen e drejtuesit të Shërbimit Informativ të Shtetit, duke deklaruar se askush nuk është mbi ligjin.

Deklaratat u bënë gjatë konferencës së përbashkët për shtyp pas Konferencës së 10-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, ku u mbyll përkohësisht Kapitulli 20 i negociatave të anëtarësimit.

I pyetur për projektin e Jared Kushner, Rama ftoi gazetarët e huaj të vizitojnë Shqipërinë për të kuptuar më mirë përmasat dhe ambicien e investimit.

Sipas kryeministrit, projekti synon të shndërrohet në një model zhvillimi ekonomik dhe turistik në harmoni me natyrën.

“Projekti i Kushner përfshin shumë më tepër se një emër, është një projekt për të cilin kemi një ambicie të madhe. Duam ta realizojmë si një model për mënyrën se si të investojmë e si të zhvillojmë në kohët e sotme, në harmoni me natyrën”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te protestat dhe kundërshtimet që kanë shoqëruar projektin, duke pretenduar se ato kanë ndikuar pozitivisht në përmirësimin e tij.

“Më duhet t’ju them se edhe manifestimet që janë përcjellë e transmetuar në mbarë botën kanë ndihmuar për ta përmirësuar dhe për ta bërë të ecë drejt rezultateve që do të jenë bindëse për më shumë njerëz sesa në fillim”, u shpreh kryeministri.

Rama theksoi se rezultatet e punës së deritanishme do të duhet të provohen me fakte, ndërsa shprehu pritshmërinë që projekti të prezantohet në mënyrë më të plotë.

Një tjetër çështje për të cilën kryeministri u pyet ishte ajo e kreut të SHISH-it, Vlora Hyseni.

Në përgjigjen e tij, Rama nuk u ndal te detajet e çështjes konkrete, por foli për funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit.

“Kjo tregon se sistemi ka nisur të funksionojë. Kur e nisëm këtë rrugëtim, në këtë vend njiheshim si ‘atdheu i kulturës së pandëshkueshmërisë’”, deklaroi ai.

Sipas Ramës, Shqipëria ka ndryshuar mënyrën se si trajtohen rastet e korrupsionit dhe përgjegjësia ligjore e zyrtarëve.

“Kultura e pandëshkueshmërisë ka mbaruar dhe askush nuk është mbi ligjin. Ai dje ishte sistem i kontrolluar nga korrupsioni dhe sot lufton korrupsionin. Kështu duhet të ecim ne përpara”, theksoi kryeministri.

Deklaratat e Ramës vijnë në një moment kur Shqipëria ka shënuar një tjetër përparim në negociatat me Bashkimin Europian, duke e çuar në katër numrin e kapitujve të mbyllur përkohësisht.

Qeveria shqiptare synon përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027, ndërsa Komisioni Europian ka kërkuar vijimin e reformave, veçanërisht në fushat që lidhen me sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu