
Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka përgëzuar Shqipërinë për mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20 të negociatave me Bashkimin Europian, duke theksuar se ky zhvillim do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për bizneset e vogla dhe të mesme shqiptare.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, në Luksemburg, Kos vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke e cilësuar vendin si një nga kryesuesit e këtij procesi.
“Shqipëria është një nga kryesuesit e këtij progresi mbresëlënës që po arrijmë sot falë punës së madhe të Shqipërisë dhe mbështetjes së vendeve anëtare”, deklaroi komisionerja.
Sipas saj, mbyllja e Kapitullit 20, që lidhet me ndërmarrjet dhe politikat industriale, ka rëndësi të veçantë për ekonominë shqiptare, pasi ndihmon përafrimin e politikave industriale me standardet europiane.
“Bizneset e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare. Reformat dhe Kapitulli 20 sjellin përfitime reale për to”, theksoi Kos.
Komisionerja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e teknologjive të reja dhe modernizimit të industrisë, si kushte për ndërtimin e një ekonomie shqiptare më konkurruese dhe të përgatitur për tregun e përbashkët europian.
Një tjetër mesazh i rëndësishëm i Marta Kos lidhej me objektivin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027.
Ajo konfirmoi mbështetjen e Komisionit Europian për këtë ambicie, por paralajmëroi se arritja e saj kërkon rezultate konkrete, veçanërisht në fushat themelore të reformave.
“Shqipëria i ka vënë vetes objektivin ambicioz për të mbyllur reformat deri në fund të 2027-s. Ne e mbështesim këtë ambicie, por për ta arritur këtë Shqipëria duhet të japë rezultate, sidomos për çështjet themelore”, u shpreh Kos.
Komisionerja kërkoi gjithashtu përfshirjen e të gjitha palëve politike dhe shoqërore në proces, duke theksuar se anëtarësimi në Bashkimin Europian është një objektiv kombëtar.
“E ardhmja e Shqipërisë është në BE. Së bashku me ju, kryeministër, po e bëjmë realitet”, deklaroi ajo.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama e cilësoi mbylljen e Kapitullit 20 një tjetër hap vendimtar drejt anëtarësimit, duke shprehur bindjen se Shqipëria do të respektojë afatet e përcaktuara për përfundimin e negociatave.
Me mbylljen e këtij kapitulli, Shqipëria e çon në katër numrin e kapitujve të mbyllur përkohësisht në negociatat me Bashkimin Europian.






