
Fotografia e tij me fytyrën e gjakosur bëri xhiron e rrjeteve sociale pas përplasjeve të dhunshme në protestën e studentëve përpara Ministrisë së Arsimit. Tashmë në rrjetet sociale është publikuar edhe emri i të riut, i cili është cilësuar nga komentuesit si një nga protagonistët e protestës së 13 tetorit në Tiranë.
Sipas një postimi të faqes “Studentët Denoncojnë”, i riu në fotografi quhet Klevi Metaj.
“Klevi Metaj. Ky është heroi i protestës. I vetëm përballë 6 policëve! Ky i ri tërhoqi vëmendjen me qëndresën e tij. Respekte”, shkruhet në postimin e shpërndarë në Facebook.
Emri i publikuar nga faqja nuk është konfirmuar ende në mënyrë të pavarur.
Fotografia e të riut, ku ai shfaqet me gjurmë gjaku në fytyrë, kishte tërhequr më herët edhe vëmendjen e Alfred Lelës.
“Jam shumë kureshtar ta di kush është ky djalosh, që u tregoi 6 policëve me skafandra dhe të trajnuar për raste të tilla se çfarë do të thotë të jesh në të drejtën tënde, por edhe të jesh trim!”, shkroi Lela në Facebook.
Postimet e kanë kthyer të riun në një nga figurat më të komentuara të protestës, ndërsa përballja e pretenduar me gjashtë efektivë ka nxitur reagime të shumta.
Megjithatë, rrethanat e sakta të lëndimit të tij dhe pretendimi se është përballur i vetëm me gjashtë policë mbeten të pakonfirmuara nga burime zyrtare.
Protesta e studentëve përpara Ministrisë së Arsimit u shoqërua me incidente të dhunshme, dëmtime të godinës dhe përplasje me forcat e rendit.
Sipas bilancit të Policisë së Shtetit, 23 persona u shoqëruan, ndërsa gjashtë efektivë dhe një gazetare mbetën të lënduar.
Ndërkohë, fotografia e të riut që në rrjetet sociale identifikohet si Klevi Metaj vijon të qarkullojë, duke u kthyer në një nga imazhet më të shpërndara të protestës.






