Christa Pike, e dënuara me vdekje në Tennessee që i mbijetoi ekzekutimit me injeksion vdekjeprurës, ka dalë nga spitali dhe është rikthyer në burg.

Avokatët e saj njoftuan se 50-vjeçarja është transferuar në Deborah K. Johnson Rehabilitation Center, ku ka kaluar pjesën më të madhe të 30 viteve të fundit. Ajo do të vazhdojë të marrë trajtim mjekësor edhe brenda burgut.

Pike ishte shtruar në spital më 30 shtator pasi autoritetet e Tennessee tentuan ta ekzekutonin me dy doza pentobarbitali. Procedura dështoi dhe ajo mbijetoi, duke kaluar disa ditë në gjendje kritike.

Ditët e fundit gjendja e saj është përmirësuar ndjeshëm. Sipas avokatëve, Pike ka nisur të ecë me ndihmë, të ushqehet normalisht dhe të marrë frymë pa asistencë. Megjithatë, ata thonë se ajo vazhdon të ketë probleme me kujtesën dhe përqendrimin, ndërsa ende nuk dihet nëse ka pësuar dëmtime afatgjata neurologjike.

Avokatët e saj falënderuan ekipet mjekësore dhe personelin e urgjencës që u kujdesën për të pas ekzekutimit të dështuar.

Ngjarja ka shkaktuar hetime të gjera në Tennessee. Guvernatori Bill Lee ka pezulluar ekzekutimet e tjera për pjesën e mbetur të vitit dhe ka urdhëruar një rishikim të pavarur të procedurës.

Pike është dënuar me vdekje për vrasjen e Colleen Slemmer në vitin 1995. Çështja e saj pritet të vazhdojë tashmë edhe në gjykata, pasi mbrojtja kërkon që dënimi me vdekje të zëvendësohet me burgim të përjetshëm.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu