
Italia e Jugut vijon të përballet me valën e parë të fortë të motit të keq të vjeshtës, me reshje intensive, përmbytje, rrëshqitje dhe dëme në disa rajone.
Për këtë të shtunë është shpallur alarm portokalli në Campania, Calabria, Puglia dhe Sicilia, ndërsa alarm i verdhë është në fuqi në Abruzzo, Basilicata, Molise dhe Umbria.
Situata më kritike është regjistruar në Lipari, në arkipelagun e Eolive, ku gjatë natës reshjet e dendura kanë shkaktuar daljen nga shtrati të përrenjve Ponte dhe Valle. Dhjetëra banesa janë përmbytur, makina kanë mbetur të bllokuara dhe rrugët janë mbuluar nga balta dhe mbeturinat.
Dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në Melito di Porto Salvo, në Kalabri, ku rrugët janë mbuluar nga baltë dhe inerte. Autoritetet lokale kanë kërkuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Probleme serioze janë regjistruar edhe në Napoli dhe Ischia, ku ka pasur rrëshqitje dhe shembje. Në zonën e Mergellina-s, një rrëshqitje dheu detyroi evakuimin paraprak të tre apartamenteve.
Në bregdetin në jug të Romës, komunat Nettuno dhe Anzio po kërkojnë gjithashtu shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë, pasi në 24 orët e fundit janë regjistruar rreth 80 milimetra shi dhe përmbytje të shumta.
Në provincën e Trapanit, në Marsala, dy tromba detare kanë dëmtuar rëndë disa ndërtesa, përfshirë të paktën pesë banesa dhe një kompleks shkollor.
Moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në sistemin e furnizimit me ujë në Kalabri, ku disa impiante janë ndalur përkohësisht për shkak të turbullimit të ujit dhe problemeve në rrjetin elektrik.






