
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka zhvilluar një replikë me deputetin e opozitës, Agron Shehaj, gjatë diskutimeve në seancën plenare të Kuvendit, duke e sfiduar publikisht për qëndrimin që do të mbajë në rast se Prokuroria italiane do të kërkojë heqjen e imunitetit të tij parlamentar.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla i kërkoi Shehajt të deklarojë nëse do të votojë pro një kërkese të tillë nga autoritetet italiane.
“Unë të sfidoj dhe të them: kur të vijë kërkesa nga Prokuroria italiane për imunitetin tënd, do ta votosh apo nuk do ta votosh? Ti që u bën be të gjithëve. Do ta votosh kërkesën e Prokurorisë italiane për heqjen e imunitetit tënd apo jo?”, deklaroi Balla.
Gjatë replikës, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së përdori edhe ironi dhe akuza ndaj deputetit të opozitës, duke iu referuar pasurisë së tij dhe shitjes së një vile për 15 milionë euro.
Përtej përplasjes politike, Balla u ndal edhe te diskutimi për politikat e strehimit social, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes për çiftet e reja dhe familjet në nevojë.
Ai bëri të ditur objektivin për të vënë në dispozicion 10 mijë banesa gjatë vitit 2027, ndërsa për vitin 2028 synimi është që ky numër të arrijë në 20 mijë banesa.
Balla theksoi se strehimi social duhet të jetë një instrument konkret për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë më shumë nevojë, duke e vendosur mbështetjen për familjet dhe të rinjtë në fokus të politikave publike.






