Aksioni i SPAK, që ka prekur drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni, dhe ish-kreun e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka shkaktuar përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës në Komisionin për Mbikëqyrjen e Institucioneve.

Deputeti demokrat Iv Kaso kërkoi ndryshimin e menjëhershëm të agjendës së Komisionit, duke e cilësuar situatën si një nga ngjarjet më të rënda të dekadave të fundit.

“Sot është vërtetuar dhe është certifikuar përfundimisht rënia e shtetit shqiptar”, deklaroi Kaso. Sipas tij, masat ndaj drejtuesve të institucioneve të sigurisë ngrenë pikëpyetje të rënda për funksionimin e shtetit dhe përgjegjësinë politike të qeverisë.

Kaso kërkoi gjithashtu seanca dëgjimore emergjente dhe ngriti çështjen e përgjegjësisë së kryeministrit Edi Rama për emërimet në drejtimin e institucioneve të sigurisë.

Kryetari socialist i Komisionit, Fatmir Xhafaj, kundërshtoi interpretimin e opozitës. Ai theksoi se veprimet e organeve të drejtësisë drejtohen ndaj individëve dhe nuk mund të konsiderohen goditje mes institucioneve.

“Institucionet nuk arrestojnë. Arrestohen individët”, tha Xhafaj, duke argumentuar se hetimi i zyrtarëve të lartë është tregues i funksionimit të shtetit të së drejtës.

Sipas Xhafajt, raste të tilla ndodhin edhe në demokracitë e konsoliduara dhe veprimet e drejtësisë duhet të ndahen nga debati politik në Kuvend.

Debati vjen pas zhvillimeve të mëngjesit të së martës, kur SPAK dhe BKH ndërmorën veprime në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e AKSHI-t, përfshirë masën e sigurisë ndaj drejtueses së SHISH dhe kontrollet në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu